Deputeti i pavarur, Haki Abazi, ka deklaruar në emisionin DPT te Fidani se, për kryeministrin Kurti, nuk ka moment më të volitshëm se tani për të shkuar në zgjedhje. Kjo sepse, sipas tij, Kurti do të paraqitej si viktimë.
Abazi ka thënë se përmes potencialit për zgjedhje, Kryeministri Kurti po do t’i paralajmërojë bashkësinë ndërkombëtare se, nëse vazhdojnë trysninë mbi Kosovën, atëherë ai do ta pengojë procesin e dialogut, shkruan Reporteri.net.
“Gjithmonë ka potencial për zgjedhje. Nëse e analizojmë momentin, s’ka moment ma të volitshëm për kryeministrin Kurti me shku në zgjedhje. Si viktimë. I vetëm kundër të gjithëve. Edhe kundër opozitës edhe kundër bashkësisë ndërkombëtare, kundër amerikanëve dhe evropianëve”.
“Tani, shtrohet pyetja a mundet z. Kurti me paketu shkuarjen në zgjedhje si viktimë e jo si dështak. Kjo, determinon faktin që nuk do kemi zgjedhje këtë vit. Ky është njëlloj shantazhi ndaj opozitës dhe bashkësisë ndërkombëtare që, nëse vazhdoni me trysninë e madhe, unë muj me shku në zgjedhje, me vonu procesin dhe me u kthy prapë në qeveri që i bie që do merreni me mu edhe një kohë të caktuar. Këto lojëra nuk shiten”.
Sipas Abazit, qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se Kurti nuk ka mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës.
“Jam thellësisht i bindur se vetë Kurti e di që pas 3 viteve, një numër i madh i njerëzve që kanë pasë shpresën e madhe të ndryshimit e kanë kuptu që QKUK është edhe më keq se ka qenë, rrugët e Kosovës kanë mbetë të pakryme, sistemi arsimor është në rënie të lirë”.