Njëri ndër gjyqtarët më me prespektivë që aktivizohet në futbollin e Kosovës padyshim se është Valbon Hoxha, raporton FrontOnline.
Hoxha me mënyrën e të referuarit në fushën e gjelbër ka lënë përshtypje të mira në disa ndeshje, derisa atij i ishin besuar edhe disa ndeshje derbi.
Megjithatë, që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, saktësisht në ndeshjen Llapi – Prishtina (11 dhjetor 2021), Hoxhës nuk i është besuar asnjë ndeshje e vetme si gjyqtar kryesor.
“Arsyet zyrtare” nuk dihen, derisa nga Komisioni për Delegimin e Gjyqtarëve janë arsyetuar në lidhje me këtë vendim.
Gani Havolli në një prononcim për FrontOnline ka thënë se Hoxha nuk është deleguar pasi nuk i ka kaluar normat fizike.
“Së pari, nuk është e vërtetë që ai (Valbon Hoxha) nuk ishte i deleguar nga dhjetori i vitit të kaluar. Problemi është që ai nuk i ka përfunduar normat, normat fizike, por që nuk është i vetmi”, ka thënë Havolli duke vazhduar:
“Në fakt, ai është deleguar në disa ndeshje si gjyqtar i katërt, por edhe në VAR, por ndonjë problem tjetër nuk ka. Janë edhe disa të tjerë që nuk i kanë përfunduar normat”.
Për fund, Havolli lë shpresë se një ditë Hoxha prapë do të delegohet.
“Kur t’i përfundojë normat, ai sërish do të delegohet”, deklaroi të mërkurën për FrontOnline Gani Havolli.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk duket fare e besueshme.
Kjo për faktin se siç bëjnë me dije burimet e FrontOnline, Valbon Hoxha i ka kaluar normat fizike diku te xhiro e katërt, së bashku me Shpëtim Murtezin dhe Gramos Shalën, të cilët thuajse delegohen javë pas jave.
Arsyet mund të jenë të ndryshme dhe gjërat duket se kanë ndryshuar prej kur babai i tij, Malazog Hoxha, kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, kishte dalur publikisht në mbështetje të Gramoz Vokrrit, ish-kandidat i Agim Ademit për kryetar të FFK-së.
Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në vazhdim në këtë drejtim.