Faqja zyrtare e Komunës së Gjilanit, në Facebook është hakuar shkruan Radio Star.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se llogarie e cila menaxhohej nga Zyra për Informim, rreth 3 javëve nuk është aktive dhe për këtë arsye qytetarët nuk janë duke u informuar për aktivitetet të cilat është duke i bërë komuna.
Ai ka njoftuar se rasti është raportuar te organet e rendit.
Shkrimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ju njoftoj se faqja zyrtare e Komunës së Gjilanit në facebook, e cila menaxhohet nga Zyra për Informim, ka rreth 3 javë që është hakuar dhe ende nuk është aktive. Kjo, fatkeqësisht ka krijuar huti tek qytetarët në mungesë të njoftimeve të zakonshme për aktivitetet tona.
Sulmet e këtij niveli flasin shumë për demokracinë dhe nivelin e individëve e grupeve të caktuara, se çka janë në gjendje të bëjnë për qëllimet e tyre dashakeqe për vendin dhe popullin tonë.
Këtë problem e kemi raportuar tek organet kompetente të hetuesisë dhe po punojmë që ta rikthejmë sa më shpejtë. Deri atëherë, ju sugjerojmë që t’i referoheni faqeve të drejtorive komunale.
Ju faleminderit për mirëkuptimin.