Humanisti Halil Kastrati ka reaguar pas dështimit të radhës së seancës për konstituimin e Kuvendit.
Kastrati, përmes një postimi në Facebook, u është drejtuar deputetëve duke thënë se e kanë shndërruar Kuvendin në pazar.
“A ka turp më të madh se me ia kthye shpinën atyre që të besuan? Deputetë, ju mund të shihni veten si të fuqishëm sot, por historia do t’ju shohë nesër si fajtorë. Populli po ju sheh çdo ditë, e populli nuk harron!”, ka shkruar Kastrati.
Postimi i plotë:
Populli po pret, e po lëndohet çdo ditë që kalon!
Nuk jam politikan, nuk mbaj as karrige e as pushtet, por jam qytetar i këtij vendi dhe nuk mund të hesht para asaj që po ndodh në Kuvend.
Çdo ditë që Kuvendi nuk po konstituohet, ndjehemi keq, sepse nuk humbasin ata që merren me pazare politike por humbim ne, populli!
Humbi nëna që pret një ligj për barnat e fëmijës së saj, humbi i riu që pret një vend pune, humbi pensionisti që pret një ditë më të lehtë.
E kam të vështirë të kuptoj si mundet që interesat personale të jenë më të forta se amaneti i votës që ua dha ky popull.
A ka gjë më të shenjtë se besimi i njerëzve?
A ka turp më të madh se me ia kthye shpinën atyre që të besuan?
Deputetë, ju mund të shihni veten si të fuqishëm sot, por historia do t’ju shohë nesër si fajtorë.
Populli po ju sheh çdo ditë, e populli nuk harron!
Mos e bëni Kuvendin vend pazari por bëjeni vend ku dëgjohet zëri i nënave, baballarëve, të rinjve dhe të moshuarve.
Mos harroni, sepse pa popullin ju nuk do të ishit aty.
Zoti na bëftë të dobishëm për vendin tonë!