Paralajmërimet për sulm të mundshëm nga Serbia nga zyrtarët më të lartë të qeverisë po i trembin investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë, thotë deputeti i Partisë Demokratike, Xhavit Haliti.
Gjatë një interviste në emisionin “FIVE” të Dukagjinit, Haliti tha se këto deklarata për më tepër po i joshin të rinjtë që të largohen nga vendi.
“Kësaj që është bërë trend me thënë jemi të rrezikuar shumë, të krijohet përshtypja se i kanë vendosur forcat dhe presin vetëm urdhrin për me u nis për Kosovë. Unë mendoj që me deklarata të tilla, ne po frikësojmë popullin, po i frikësojmë investitorët e huaj për të ardhur në Kosovë, po i frikësojmë investitorët vendorë, diasporën. Dhe po i joshim rininë, njerëzit që të ikin prej Kosove sepse siç e dimë për luftë, në qoftë se ka frikë për luftë njerëzit ikin dhe i lënë vetëm ushtarët me luftu,” tha Haliti në emisionin “FIVE” të Dukagjinit.