Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit mbi 190 mijë vota, duke e cilësuar rezultatin si të vlerësueshëm, por jo të mjaftueshëm për objektivat e partisë.
Hamza nga Klan Kosova falënderoi votuesit e PDK-së dhe tha se subjekti i tij politik e ka pranuar rezultatin zgjedhor, duke shtuar se e ka uruar fituesin.
“Partia Demokratike e Kosovës edhe kësaj radhe ka marrë mbi 190 mijë vota. Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë votuesit e PDK-së. Ne kemi pranuar rezultatin zgjedhor. Unë e kam uruar fituesin. Nuk është ky rezultati të cilin e ka dëshiruar PDK, për të cilin jemi angazhuar. Mirëpo është për t’u vlerësuar sepse janë rreth 200 mijë vota. Ky rezultat nuk i mjafton PDK-së dhe PDK duhet të organizohet, të punoj shumë që, kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme, me pasë një rezultat tjetër dhe më shumë vota.”, u shpreh Hamza.
Sipas Hamzës, caktimi i datës së zgjedhjeve ka qenë “një koordinim i plotë” mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.
“Ka më shumë se një arsye pse ky rezultat, por një prej arsyeve është caktimi i datës së zgjedhjeve. Unë e shprehi respektin dhe konsideratën për të gjithë bashkëatdhetarët tonë. Kam vlerërsim për kontributin e tyre gjatë të gjitha fazave dhe periudhave, mirëpo ne nuk mund ta mohojmë si fakt që vota prej diasporës dhe vota e bashkatdhetarëve tanë në Kosovë ka shku në përqindje mbi 70 për subjektin e Vetëvendosjes. Caktimi i datës së zgjedhjeve ka qenë një koordinim i plotë mes zotit Kurtit dhe Presidentes Osmani.” , shtoi ai.
Hamza ka folur edhe për ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, shpërndarja e miliona eurove për disa muaj rresht, ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Muajve të fundit, edhe para zgjedhjeve lokale janë dhënë qindra miliona euro. Kjo e ka bërë efektin e vet, domethënë përmes parave publike është ndikuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Kjo dhe shumë faktorë kanë ndikuar që e kemi këtë rezultat”, tha Hamza.
Pos tjerash, ai shtoi se vendi mund të futet në një bllokadë financiare, ku mund të mos ekzekutohen pagat.










