Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot ka zhvilluar takimin e dytë me kryeministrin Albin Kurti, për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ky takim u zhvillua menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u morën qëndrime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Hamza tha në një konferencë për media se kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit dhe se përgjegjësia është e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, tha ai.
Ai tha se PDK-ja ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi.
“I kemi hequr vijat e kuqe për shkak se gjithmonë kam konsideruar se janë të dëmshme për konsolidimin e institucioneve dhe stabilitetin politik të vendit. Nuk e kemi përjashtuar asnjëherë mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse politike, nëse ajo do t’i shërbente shmangies së zgjedhjeve të reja dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Kemi shkuar në takime për diskutimin e një presidenti konsensual”, ka thënë ai.
Kryetari i PDK-së ka thënë se e ka pranuar takimin e parë me Kurtin për çështjen e Presidentit, me bindjen e sinqertë se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes emblematike Jashari, që do ta përfaqësonte unitetin kombëtar dhe do ta kishte mbështetjen e plotë të PDK-së.
Pas deklarimit publik të familjes Jashari, Hamza ka thënë se rrethanat ndryshuan.
“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti për këtë çështje, pas mbledhjes së kryesisë së partisë gjatë ditës, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjedhet një President i propozuar nga PDK-ja, si zgjidhje për të garantuar stabilitet institucional dhe tejkalim të ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymë përgjegjësie dhe për të mos e lënë vendin në krizë të panevojshme, Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është i përmbushur”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe më shumë se dy javë nga votimi i Qeverisë Kurti 3, duke mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
“Në këtë kontekst kohor, është legjitime të shtrohet pyetja nëse takimet e minutës së fundit po zhvillohen për të gjetur realisht një zgjidhje, apo për të ngushtuar artificialisht kohën, në mënyrë që presioni të zhvendoset tek opozita. Një qasje e tillë do të ishte e papërshtatshme për një proces kaq të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”, ka shtuar ai.
Hamza ka pohuar se tani mbetet të shihet nëse shumica parlamentare dhe z. Kurti në veçanti, do të reflektojnë me seriozitet për t’ia shmangur vendit zgjedhjet e reja, apo nëse gatishmëria dhe konstruktiviteti ynë do të trajtohen si mundësi për ta zhvendosur përgjegjësinë, e jo si bazë për një zgjidhje të mirëfilltë. Unë uroj që të mbizotëroj e para”, ka thënë ai.
Partia Demokratike e Kosovës, siç ka thënë Hamza, ka dëshmuar atë që duhej ta dëshmonte një opozitë e përgjegjshme: ka treguar vullnet politik, pjesëmarrje në takime, qëndrime të qarta dhe gatishmëri për zgjidhje në interes të stabilitetit të vendit.
Ai ka thënë se shumica parlamentare tani e ka të qartë pozicionin e PDK-së.
“Ne nuk mund dhe nuk do të marrim mbi vete përgjegjësi që nuk na takojnë. Nuk mund t’ua mbulojmë mungesën e numrave. Nuk mund t’ua kompensojmë mungesën e vendimmarrjes. Dhe nuk mund të zëvendësojmë shumicën parlamentare. Ne jemi opozitë. Dhe do të sillemi si opozitë: kritikë kur cenohet interesi publik dhe të qartë kur tentohet të zhvendosen përgjegjësitë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se as sot dhe as nesër nuk janë pengesë e proceseve shtetërore.
“Përgjegjësia për prodhimin e rezultateve bie mbi qeverinë dhe shumicën e saj, sepse opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues”, ka thënë ai.
Në fund të fjalës së tij, Hamza ka thënë se Kosova ka nevojë për President, për institucione funksionale dhe për stabilitet, por mbi të gjitha ka nevojë edhe për një shumicë parlamentare që e mban peshën e përgjegjësisë larg kalkulimeve afatshkurtra dhe lojërave politike.
“PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë serioze, e përgjegjshme dhe e palëkundur në mbrojtje të interesit të shtetit. Ne e kemi bërë pjesën tonë. Dhe nga sot, përgjegjësia është vetëm e atyre që qeverisin. Ata që e morën besimin qytetar dhe i kanë mundësitë të arrijnë konsensus, nuk duhet t’i keqpërdorin ato”, ka përfunduar Hamza.

