Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka premtuar rritje të pagave për mandatin e tij.
Hamza ka thënë se pagat do të rriten për 50 për qind gjatë qeverisjes së tij për sektorin publikë, pa përfshirë këtu të emëruarit e lartë.
“Kam premtuar se pagat në sektorin publik do të rriten për 50 për qind. Rritja do të bëhet për mësues, arsimtar, profesor, infermier, mjek, zjarrfikës, policë, ushtarë e shërbyes civilë, në përjashtim të pagave të emëruarve të lartë politikë si këshilltarë, ministra e president për shkak se rritet diferenca mes pagave të ulëta dhe pagave të larta”, ka thënë Hamza në Presing, transmeton Paparaci.
Po ashtu Hamza ka premtuar edhe rritje për pensionet bazike, duke premtuar një rritje prej 76 për qind.
“Pensionet kemi premtuar që do të jenë 200 euro, pra pensioni më i vogël me një rritje prej përafërsisht 76 për qind”, tha ai.
Përpos sektorik publikë, Hamza ka premtuar përmirësim të kushteve edhe për punëtorët e sektorit privat.
Gjatë qeverisjes së tij, Hamza ka thënë se do të themelohet Gjykata e Punës si dhe Fondi për Personat e Pa punë.
“Po përballemi me humbje të fuqisë punëtore dhe kryesisht në moshë të re dhe kohëve të fundit në shumicë tek ata të kualifikuarit dhe nuk po i mbrojmë njerëzit që kanë kontrata. Përveç pagave në sektorin provat do të themelojmë gjykatën e punës për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. Po ashtu do të themelohet një fond për personat që humbin vendin e tyre të punës ata për një periudhë prej 6 muaj do të marrin një pagë mesatare derisa të gjejnë një vend të ri të punës”, ka thënë Hamza.