Shoqata e personave me aftësi të kufizuara “Hendikos” vlerëson se ka një kufizim të lirisë së lëvizjes për personat me aftësi të kufizuara në Gjilan, ngase edhe më tej pushteti lokal nuk ka intervenuar në infrastrukturë dhe se në shumicën e trotuareve janë ngritur barriera.
Ndërkaq, kritikojnë Komunën se nuk ka ndërtuar pjerrina, në mënyrë që të mundësojnë qasjen e personave me aftësi të kufizuara në institucione të ndryshme, shkruan sot Koha Ditore.
Shoqata vlerëson se asnjë kërkesë, e cila është parashtruar në drejtim të komunës nuk është përmbushur dhe se ata kanë vetëm një opsion të cilin do të shqyrtojnë dhe që është protesta.
Kjo, ngase aksionet simbolike siç ishte intervenimi i personave me aftësi të kufizuara në trotuaret e qytetit nuk kishin dhënë ndonjë rezultat për Komunën.
Kryetari i shoqatës “Hendikos”, Fatmir Shurdhani, deklaron se në vazhdimësi kanë zhvilluar aktivitete për vetëdijesimin e opinionit me problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe se ata në vazhdimësi kanë parashtruar kërkesat te qeverisja lokale, e cila sipas tij nuk ka përmbushur asnjë pikë.