Qeveria në detyrë në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin t’i shfuqizojë disa nga venmdimet që kishte ndërmarrë për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar vendimet të cilat më pas u votuan në mbledhjen e Qeverisë.
Janë marrë vendime që të hapen kufijtë, qendrat tregtare, kafiteritë, çerdhet si dhe vetëizolimi do të jetë vetëm për 7 ditë, transmeton Reporteri.net
“Rihapja e kopshteve dhe çerdheve mosha 0-5 vjeç, përgatitjet për testin e arritshmërisë, kthimi në shkollë i klasëve të nënta, organizimi i ambientit për testin e maturës. Të shfuqizohet vendimi për vetizolim. Të shfuqizohet vendimi për mbylljen e kufijve, të hapen të gjitha pikat kufitare në Kosovë. Ata që vijnë nga jashtë dhe nuk e kanë kryer testin në afat kohor jo më shumë se 4 ditë, detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë. Shfuqizohet mbyllja e kafiterive, bareve restoranteve dhe qendrave tregtare”, ka thënë Vitia.
Por, një gjë e cila nuk u përmend fare nga kjo mbledhje e Qeverisë, është orari i lëvizjes së lirë, që aktualisht është nga ora 05:00 deri në ora 21:00.
Për orarin e lëvizjes nuk u tha asgjë as në mbledhje e as në konferencë për media.
Ndryshe, Vitia ka bërë të ditur se më 20 qershor do të bëhet vlerësimi i masave. /Reporteri.net/