Në kuadër të agjendës zyrtare të Ditës së Çlirimit të Kamenicës është mbajtur edhe ekspozita “Gratë në rrugën e lirisë”.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur fotografi të grave që kanë kontribuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe që kanë dhënë gjithcka nga vetja e tyre, në një periudhë që rezistenca ka qenë zgjedhja e vetme për secilin.
Ekspozita është organizuar nga gra që kanë qenë pjesë e UÇK-së në zona operative të ndryshme, me organizatore Bukurije Rexhepaj-Dukaj dhe me ideatore Mirvete Hasani, Demrije Salijaj, Florije Osmani dhe Linda Fetahu-Krivanjeva.
Znj. Krivanjeva ka ndarë para të pranishmëve ecurinë e mbledhjes së materialeve për këtë ekspozitë dhe se si një gjë e tillë është dëshmi e qartë e asaj që gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në periudhën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari Rahimaj ka thënë se është i lumtur që Komuna e Kamenicës ka arritur të kontribuojë në organizimin e një ekspozite të tillë, që është dëshmi e kujtesës tonë kolektive dhe vlerave që duhet t’i kultivojnë të gjithë.
Znj. Dukaj si pjesëtare e UÇK-së ka ndarë me të pranishmit kujtime nga ajo kohë si dhe ka falenderuar Komunën e Kamenicës për ndihmën që ka dhënë në organizimin e kësaj ekspozite.
Në fjalimin e tij, Kryetari i OVL-UÇK-së, dega në Kamenicë Milaim Limoni, ka theksuar rëndësinë dhe rolin e gruas në periudhën e viteve 1998-1999. Ai vlerësoi kontributin e grave që, përkundër rreziqeve dhe sfidave të mëdha të kohës, qëndruan në vijën e parë të rezistencës dhe mbështetjes së popullit të Kosovës.
Kryetari Rahimaj krejt në fund të ceremonisë ka ndarë edhe mirënjohje për organizatorët dhe pjesëtaret e UÇK-së, duke vlerësuar lartë veprën e tyre.

