Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës duke e cilësuar edhe të dështuar.
Sipas tij, viti 2023 ka qenë një vit i humbur dhe me dështime në politikë, ekonomi, arsim e shëndetësi.
Ndryshe, Haradinaj tha se Qeveria këto dështime i ka paraqitur si suksese.
“Nuk mbahet mend që Kosova ta ketë pasur një vit më të humbur se sa vitin 2023! Me dështime në çdo segment të jetës e të politikës. Regres ne pozicionin ndërkombëtar të Kosovës; sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë; asnjë njohje, asnjë investim i huaj; disfatizëm në raport me Serbinë e rrezikim i pavarësisë së vitit 2008; rritje enorme e çmimeve në artikujt elementarë, në energji, në tatime, në artikuj bazë ushqimor; dështim në investime e në zhvillim ekonomik; në arsim e në shëndetësi; me pagat më të ulëta në rajon; me afera të pazbardhura korruptive me rezervat shtetërore e tregtimin e energjisë; me luftë të paskrupullt ndaj gjyqësorit, me largimin masiv të rinisë nga vendi, e kështu me radhë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka kërkuar që “dështimet e Qeverisë të kalojnë me ndëshkim”.
“Të gjitha këto dështime nuk mund të kalojnë pa ndëshkim. Prandaj sot, më shumë se kurrë kërkohet unitet e mobilizim që të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”, ka shkruar ai mes tjerash.