Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk do të ketë koalicione me asnjë subjekt politik.
Haradinaj pas mbledhje së kryesisë, ka theksuar se ndonëse ka pasur kërkesa për takime nga Vetëvendosje, nuk ka pasur ndonjë propozim konkret për bashkëpunim.
“Do të garojmë vetëm në këto zgjedhje nuk do të shkojmë në koalicione. Kemi një vlerësim për figurën e zotit Konjufca dhe është e vërtetë kjo. Krijimi i një qeverie është proces tjetër. Kushdo që merr përgjegjësitë e merr përsipër t’i sigurojë votat. Ne nuk kemi pasur propozim ose kërkesë nga VV-ja për çfarëdo bashkëpunimi, ka kërkesa për takime por nuk mendoj që takimet janë diçka që ia vlen. Po lutemi për zgjedhje te reja sa më shpejt. Kanë kërkuar zoti Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘qitma votën si vëlla se e du Kosovën’. Kosovën nuk është që e do vetëm një. Të gjithë e duam, dikush më shumë ndoshta,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai shtoi se nuk ka pasur ndonjë propozim për ndarje të përgjegjësive apo bashkëpunim qeveritar.
“Por nuk ka diçka serioze në qasjen e tyre, nëse do të kishte ndonjë propozim e dini qëndrimin tonë. Por nuk ka pasur një propozim bashkëpunimi apo ndarje e përgjegjësive, dua të jem i sinqertë. Nuk jam takuar dhe nuk kam plan të takohem me pi kafe,” përfundoi Haradinaj.










