Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për të biseduar rreth takimit të fundit në Bruksel.
“Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit. Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj tha se kryeministri “këtë herë” e ka përjashtuar AAK-në dhe opozitën “nga çfarëdo konsultimi apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel”.
I pari i AAK-së ka falenderuar Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe Mitroslav Lajçak.
Shkrimi i plotë:
I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel.
Për mua dhe Aleancën, çëshja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake. Këtë përcaktim e kam pasur edhe gjatë kohës sa e kam udhëhequr qeverinë e vendit.
Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interest nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë. Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre.
Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Alenacën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel.
U jam mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel.