Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot takim me diplomatët e huaj në Kosovë lidhur me Nivelin e Lartë për Sundim të Ligjit ku janë shqyrtuar pakot e ligjeve anti-korrupsion dhe rastet e shenjëstruara.
Haradinaj duke folur për çështjen e vizave, tha se janë në fazën finale të liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim nuk bën të ndalen.
Në fjalën e tij kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me sundimin e ligjit dhe ndjekjen e veprave penale që pengojnë këtë zhvillim dhe se siguria e bizneseve sikurse edhe e investimeve të huaja është detyrë e secilit prej atyre që sot ishin në këtë takim.
“Investitorët e huaj duhet të ndihen të sigurt se kapitali i tyre është i mbrojtur, se prokuroria është efektive, se gjykatat nuk vonojnë dhe se keqbërësit janë prapa grilave. Kosova ka hapur dyert për investitorë të huaj, kemi investimin më të madh direkt me vlerë prej 1.3 miliard dhe në pritje janë 11 projekte investuese strategjike me vlerë prej më shumë se 1 miliard Euro”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke sqaruar se të gjitha këto investime si adresë e kanë shtetin dhe se nuk do të lejojnë që dikush të vendosë pengesë korruptive në këto investime.
Në këtë frymë, kryeministri Haradinaj, sqaroi faktin se përse i kanë forcuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe i kanë ndryshuar e forcuar ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Për më shumë ne duhet të përfundojmë me sukses të gjitha rastet e shënjestruara. Këto raste tregojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kosova ka kapacitete dhe guxim për tu ballafaquar me raste komplekse. Kosova tashmë është në një fazë ku duhet t’i intensifikojë përpjekjet për ta unifikuar agjendën për integrim”, potencoi kryeministri.