Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i ka tërhequr vërejtjen këtij të fundit se strategjia e Serbisë është të shkohet me marrëveshje një nga një.
Sipas Haradinajt, nëse Serbia arrin ndonjë sukses në marrëveshjen e asociacionit atëherë e njëjta mund të mos vazhdojë dialogun, duke theksuar se veprime të tilla Beogradi zyrtar i ka ndërmarrë edhe në të kaluarën.
“Rrezik është që Serbia të insistojë që përmes çështjes së asociacionit, ose të arrijë një sukses ose të dështojë dialogun, për shkak se koha i konvenon Serbisë. Kosova dhe Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet jo në marrëveshje një nga një, jo në asociacionin, por në marrëveshje obligative ligjore, pra për njohje reciproke Kosovë-Serbi, por që është gjithëpërfshirëse, që nënkupton obligimet e së kaluarës, obligimet e së tashmes. Sa i përket asociacionit, e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti duhet të kërkojë zyrtarisht që çështja e dialogut të kalojë nga Bashkimi Evropian te presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të sigurohej marrëveshja finale dhe garancia e implementimit të saj.
“Ia thash kryeministrit Kurti që Bashkimi Evropian vërtet ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, mbi një dekadë, por rrethanat pulitke, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE nuk është më neutral, është në luftë me Rusinë, njëjtë si e gjithë bota. Mendoj se tash është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofolin e dialogut t’i kalohet presidentit të Amerikës, Joe Biden, sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garancia në implementim”, ka thënë Haradinaj.