Flamuri shtetëror i Kosovës është raportuar se gjatë ditës së sotme do të vendoset afër rrethit ku momentalisht valëvitet ai i Shqipërisë, dhe jo në të njëjtin bashkë me atë kombëtar.
Ndërsa, më vonë sipas burimeve të lajmi.net, kryeministri Ramush Haradinaj ka autorizuar ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar për vendosjen e flamurit tek po i njëjti rreth ku është i vendosur edhe ai i Shqipërisë.
Sipas burimeve, vendosja e flamurit do të bëhet gjatë ditës së sotme, ndërkaq që ende nuk dihet për një orë të saktë.
Ndryshe, gjatë ditës është raportuar edhe për opsionin tjetër të vendosjes së flamurit, e ai është rrethi që lidh pjesën nga stacioni i autobusëve në drejtim të Veternikut, magjistrales për Shkup.
Vendosja e flamurit shtetërorë të Kosovës po bëhet në nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, dhe një gjë e tillë ka ngjallur shumë reagime, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët me cdo kusht kërkojnë që flamuri kombëtar të mos zëvendësohet me atë shtetëror.