Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se këtë vit do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët.
Ai këto komente i ka bërë në konferencën për media në Qeverinë e Kosovës.
Liberalizimi nuk është betejë e humbur. Jemi rrugës, sepse pas Komisionit Evropian e kemi Parlamentin Evropiane, pastaj është Këshilli Evropian, ku aty duhet të binden qeveritë veç e veç për ta dhënë përkrahjen e tyre”, ka theksuar Haradinaj.
Sipas tij, lufta po bëhet që lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës të jetë çështje javësh.
“Javët janë në pyetje. Nëse do të mundnim me kalu prej Komisionit Evropian për në Parlamentin Evropian, do të arrinim me zënë që seancat të mbahën para pushimit të verës”, ka theksuar ai.
Ai ka theksuar se komisionari evropian, Dimitris Avramopoulos ka treguar qëndrim pozitiv për liberalizimin e vizave.
“Komisioneri evropian për Zgjerim, Johanes Hahn është pozitiv. Nëse na shtyhet për vjeshtë dhe atëherë shkon në Parlamentin Evropian, atëherë do të jetë më vështirë që këtë vit të kemi liberalizim. Në pikëpyetje tash është afati, por jo procesi si proces i liberalizimit, si ka qenë më herët”, ka shtuar Haradinaj.