Kreu i AAK-së, ka akuzuar kryeministrin AlbinKurti për abuzim e mashtrim me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim në vend.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim.
Ai ka theksuar se vendi nuk ndërtohet dhe as nuk qeveriset me mashtrim.
“Nëse nuk ta kanë thënë dhe nëse nuk e di vetë, çka unë dyshoj, jeta e qytetarit të Kosovës nuk është duke u përmirësuar, por është duke u varfëruar. Askush nuk ju beson më shifrave tua e edhe militantët që të rrinë përreth e dijnë që je duke mashtruar dhe po abuzon me numra për zhvillim ekonomik dhe punësim”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai ka pyetur Kurtin se nëse e ka rritur buxhetin për 35%, “pse të paktën s’po i rritë pagat e pensionet, bile të paktën 25%? Ndoshta po pret fushatën zgjedhore e pastaj ta realizosh rritjen se të duhet për vota”.
“Albin, në Kosovë për katër vite nuk është krijuar asnjë vlerë e re, as politike as ekonomike dhe nuk ka progres në asnjë sferë të jetës. Kemi sanksione nga BE dhe kemi humbur për një vit rreth 500 milionë EURO veç nga këto masa”, ka shkruar tutje ai.
Ai ka kritikuar kryeministrin duke thënë se e ka dëmtuar rëndë pozicionin e Kosovës në integrime euro-atlantike dhe se “askush nga vendet aleate nuk e sheh si partner por si person që duhet menaxhuar”.
“Ke dëmtuar raportet me investitorë dhe ke mbajtur ata larg nga Kosova. Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe”, ka shkruar tutje Haradinaj.