Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit duke i thënë se nëse vazhdon kështu nuk do të mund ta ndihmojë as opozita por as Zoti, raporton Gazeta10.
Haradinaj ka pyetur Kurtin se përse ai e ka refuzuar kërkesën amerikane për shtyerjen e afatit për targat deri në një marrëveshje.
“Pse kryeministër ke refuzu kërkesën amerikan për pezullim deri në marrëveshje, pse? A është kjo arsyeja që kur ke shku në Bruksel nuk ke folë ma për marrëveshjen finale ashtu si the ti por ke folë për tabelat?”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka pyetur Kurtin se si do ta rikthejë sovranitetitn e vendit në veri apo atë do ta negociojë më Serbinë.
“Tani po të pyes si ke me kthy sovranitetin në veri ti e demagogët e tu e gjithë këta që i ki këtu apo ki me shku me negociu me Serbinë, normalizimin e gjendjes në vendit tënd, në kuadër të normalizimit a të marrëveshjes finale”, ka thënë ai.
Më tej, Haradinaj ka thënë se nëse Kurti vazhdon kështu atë s’mund ta ndihmojë askush.
“Nëse vazhdon me demagogji beso opozita s’ka me mujtë me të ndihmu po as Zoti”, ka thënë Haradinaj,
Kujtojmë se së fundmi ka pasur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat e paraprirë nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, rrethana këto që e dërguan Qeverinë e Kosovës në përplasje të hapur me bashkësinë ndërkombëtare.
Po ashtu, së fundmi është duke u diskutuar edhe plani franko-gjerman si një zgjidhje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi. / Gazeta10