Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi. Në këtë takim ishte i ftuar edhe Haradinaj bashkë me homologun e tij nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se nisma për shpërbërjen e Parlamentit është e Kurtit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka thënë Haradinaj në Facebook.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar ai.