Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit ka thënë se marrëveshja e djeshme për targat ka evituar rrezikun, sepse sipas tij mund të kishte pasur viktima policë ose qytetarë serbë në veri.
Mirëpo, sipas tij kjo marrëveshje nuk e ka zgjidhur situatën në veri, raporton teve1.info
“Me marrëveshjen e djeshme për tabelat e kemi evituar rrezikun, rrezikun e parë pra që të kemi viktima, qofshin këta policë të Kosovës apo qytetarë serb të veriut, mirëpo dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri, pra mos ta harrojmë këtë “mos të bëjmë opa pa e kaluar lumin”, tha Haradinaj.
Tutje ai tha se sfida që pret sot është rikthimi në institucione e atyre që e kanë lëshuar vendin e punës.
Haradinaj përmendi edhe rezolutën të cilën e ka propozuar AAK-ja, teksa tha se pika e parë e rezolutës së propozuar ka qenë pezullimi i vendimit për targa deri në marrëveshje dhe pika e dytë e rezulotës dialogu me serbë lokal.
Ai ka potencuar se nuk duhet të bëhet eksperiment me ide që mund të ketë rregullim tjetër që do të çonte në shpëtim nga themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mos të eksperimentojmë askush nga ne me ide që ndonjë rregullim tjetër na shpëton nga Asociacioni. Nëse duam të shpëtojmë nga Asociacioni urdhëroni të ulemi e të bisedojmë bashkë por jo duke rrezikuar tërësinë territoriale”, shtoi ai.