Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka dalë në mbështetje kërkesave të SBAShK-ut për miratim të Kontratës Kolektive dhe rritje 30 % të koeficientit të pagave.
“Refuzimi për të nënshkruar Kontratën Kolektive dhe mosgatishmëria për të siguruar një pagë dinjitoze për mësuesit, është dëshmi e qartë e një qeverie që ka humbur rrugën – një qeverie që nuk respekton një institucion të shenjtë për vendin, edukimin e brezit të ri”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje ai ka shtuar se rritja e pagave është investim i domosdoshëm në cilësinë e arsimit, përderisa ka premtuar rritje prej 50 % të pagave për mësimdhënësit.
“Ne qëndrojmë të palëkundur në mbështetje të kërkesave legjitime të mësimdhënësve. Vizioni ynë parasheh rritje substanciale të pagave, në masë 50% për mësimdhënësit, e paga mesatare do të jetë 1000 euro që në vitin e parë të qeverisjes. Rritja e pagave nuk është thjeshtë kërkesë ekonomike, por investim i domosdoshëm në cilësinë e arsimit dhe të ardhmen e fëmijëve”, ka shtuar ai në Facebook.