Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar kundrejt çmimit të lartë të naftës në Republikën e Kosovës.
Kreu i qeverisë përmes një postimi në “Facebook” i ka bërë thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë dhe Shoqatës së Naftëtarëve që të marrin hapat e nevojshëm për të mos dëmtuar qytetarët me çmimin e Naftës, shkruan Indeksonline.
Sipas Haradinajt, çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut, duke mos dëmtuar qëllimisht buxhetin e familjeve kosovare.
Rikujtojmë që qytetarët e Kosovës shumë shpesh janë ankuar në lidhje me çmimin e lartë të derivateve në Kosovë, duke kërkuar nga organet kompetente të merren masa./Indeksonline/
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Haradinajt:
Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë.
Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.
U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë.
Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!