Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbi 11 për qind të ushtarëve janë larguar nga FSK në vitin 2023 dhe 2024.
Ai ka thënë se kjo është alarmante dhe i ka ftuar ata të qëndrojnë sepse premton se do ta ndryshojë gjendjen.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se në muajt e pare të Qeverisë së re paga mëe ulët në FSK do të jetë 1 mijë euro.
“Mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në 2023 dhe 2024. Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen. Në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257! Në vitin 2024, ka kaluar numri prej 200. I fundit nga ta më 19 shtator 2024. Shumica nga ta përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë. Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht. Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018.” – ka shkruar Haradinaj.
“Ftoj rininë t’i bashkohen FSK-së dhe ftoj pjesëtarët të qëndrojnë aty. Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro.” – përfundoi ai.