Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka vizituar komunën e Obiliqit.
Ai bashkëbisedoi me qytetarët e komunës për zhvillimet e fundit në vendin tonë ku i njoftoi për zhvillimet e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tregoi që marrëveshja finale me njohjen reciproke është afër.
Ndër të tjera Haradinaj tha se roli i Aleancës është që të ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik.
“Qytetarëve në Obiliq iu shpreha bindjen time se marrëveshja finale me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është afër. Marrëveshja i hap Kosovës rrugën drejtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të ketë kujdes në këtë fazë në mbrojtjen e interesave nacionale të Kosovës.
Roli im dhe i Aleancës është që të ndihmojmë këtë proces ku kërkohet unitet politik.
Sa i përket gjendjes së brendshme, qeveria Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme. Qasja e tij në qeverisje, sektor të sigurisë dhe energjisë, kanë shkaktuar rënie drastike në ekonomi dhe kanë dobësuar pozitën e Kosovës”, ka treguar Haradinaj.