Po bëhen afro dy javë që nga dita kur Qeveria e Kosovës në mënyrë unanime ndërmori vendimin për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.
Kryeministri Ramush Haradinaj, në këtë mbledhje urdhëroi që vendimi në fjalë të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.
Por reagimet pas këtij vendimi ishin të shumta. Përderisa nga qytetarët e Kosovës mori përkrahje të madhe, kundër taksës 100%, padyshim se ishin serbët.
I habitshëm ishte qëndrimi i ndërkombëtarëve lidhur me këtë taksë, ku kërkuan tërheqjen e menjëhershme të saj.
Pavarësisht këtyre kërkesave, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend tërheqjen e vendimit.
Në një përgjigje për Indeksonline, nga Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës është thënë se pavarësisht kërkesave nga ndërkombëtaret, Haradinaj nuk tërheq vendimin për taksën.
“Ne si Qeveri e Kosovës kemi dhënë arsyet tona konkrete se pse është marrë ky vendim. Këto arsye vazhdojnë të qëndrojnë, do të thotë se nuk është bërë ndonjë përmirësim sa i përket të drejtës së Kosovës”, thuhet tutje nga Qeveria e Kosovës.
Gjithashtu bëhet e ditur se derisa të jetë kështu edhe vendimi për taksën do të qëndrojë , pa u tërhequr.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini dënoi vendimin e Kosovës, duke kërkuar tërheqje të menjëhershme. Kërkesë të njëjtë pati edhe nga Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn. Hahn kishte deklaruar se kjo taksë duhet të tërhiqet para zhvillimit të javës së CEFTA-s, në Prishtinë.
Së fundi evropianëve iu bashkuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar tërheqjen e këtij vendimi për taksën.
Departamenti i Shtetit amerikan lëshoi komunikatë për media pas takimit të presidentit kosovar ,Hashim Thaçi dhe Sekretarit të ShBA-së, Mike Pompeo.
Pompeu kërkoi nga autoritetet kosovare që të shfuqizojnë vendimin për taksën 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Ai u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të shfuqizojnë tarifat e vendosura në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe tensionet destabilizuese”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Shtetit.
Pavarësisht këtyre kërkesave duhet përkujtuar qëndrimin e kryeministri, Ramush Haradinaj të dhënë ditë më parë. Haradinaj deklaroi qartë se vendimi në fjalë nuk do të tërhiqet deri në momentin kur Serbia do të njohë shtetin e Kosovës.
Ndryshe nesër në Kosovë pritet të arrijë edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn. Ndër temat që do të diskutohen në mes Hahn dhe krerëve të vendit, është edhe respektimi i shtetësisë së Kosovës gjatë procedurës së hyrje së mallrave.