Në përvjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka nderuar figurën e tij dhe të bashkëluftëtarëve të rënë në betejën e lavdishme të Kosharës.
“Agim Ramadani i dha vulë betejës së Kosharës, së bashku me Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj, duke e bërë atë unike dhe të pavdekshme”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai kujtoi trimërinë e pashembullt të komandant Katanës, duke e cilësuar si strateg dhe ndërtues të unitetit çlirimtar, që mbajti betimin për të mos vdekur pa luftuar, deri në frymën e fundit.
“I pari ushtar shqiptar që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, ra heroikisht te Rrasa e Zogut, për të mbetur i gjallë në kujtesën e popullit dhe të shtetit të Kosovës,” shkruan Haradinaj.
Në postimin e tij, ai ka përkujtuar edhe bashkëluftëtarët e rënë në këtë betejë historike: Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi, Rifat Çelaj, Arben Jusufi, Driton Veliu, Emri Curri, Harun Beka, Rifat Salihaj, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala.
Ndryshe, sot mbushen 26 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.
Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët, transmeton KosovaPress.
Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve