Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar sot pasi është ndaluar në Serbi, Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës.
Spahiut i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore në Serbi.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi.
“Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Mos e bëni këtë!”, shkruan Haradinaj.
Ndryshe, pas dy ditësh ndalim nga autoritetet serbe, Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore në Serbi.
Lajmi është konfirmuar nga avokati i tij, Arianit Koci, i cili e ka cilësuar këtë vendim si të padrejtë, të motivuar politikisht dhe të pabazuar në prova apo fakte konkrete.
“Së paku një reagim të qartë dhe publik. Sepse asnjë qytetar i këtij vendi nuk guxon të lihet vetëm, kur persekutohet padrejtësisht”, ka deklaruar Koci, duke kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës – jo vetëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës Ndërlidhëse në Beograd – por edhe të vetë krerëve të shtetit, Kryeministrit dhe Presidentes.
Ai ka njoftuar se do të udhëtojë drejt Suboticës, për të ndjekur nga afër zhvillimet lidhur me rastin.