Ish-kryetari i Aleancës dhe deputeti, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që Hashim Thaçit t’i vazhdohet mandati i presidentit me kthimin e tij nga Haga.
Ai ka propozuar që mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi t’i vazhdohet me kthimin e tij nga Haga, duke thënë se kjo do të ishte një mënyrë për të shmangur, siç u shpreh ai, mbajtjen peng të vendit.
“Çështja e marrëveshjes për president, edhe kjo është një alibi. Një alibi që ndodh qëllimshëm. Pra, e shtyn,. Edhe në këtë mandat të dytë që po e djeg, pra, e shihni, çdo 48 orë duhet të thirret seanca, në qoftë se do me gjetë zgjidhje Kurti, pra regjimi i Kurtit, me thënë të drejtën, është nderi i kësaj legjislature, po edhe i çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin Presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati me një ndërhyrje ligjore, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë, si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake apo politike, po për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe X opsione të tjera, mos me e mbajtur peng Kosovën. Pra, po e thëm edhe një herë, armiqtë nuk flenë, regjimi i Kurtit po do me e vënë në gjumë Kosovën.”
Ai tutje tha se vazhdimi i mandatit të Thaçit do të ishte edhe një përgjigje ndaj, siç i quajti ai, “armiqve të Kosovës”
Haradinaj gjithashtu ka kritikuar mosvazhdimin e seancës konstituive edhe pas skadimit të afatit të parë 30-ditor, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
Ai shtoi se Kuvendi është “inekzistent”, ndërsa moskonstituimi i tij po çon në “djegien e mandatit” të deputetëve të zgjedhur.
Haradinaj e ka cilësuar si “alibi” arsyetimin se seanca nuk po thirret për shkak të rrezikut për dhunë. Ai tha se incidentet e fundit nuk kanë ndodhur për shkak të thirrjes së seancës, por për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Jo pse ka thirrë seancën, por pse s’po kandidon kryetarin e Kuvendit, që është detyrë dhe obligim i tij dhe i partisë së tij fituese. Pra, jo pse ka thirrë seancën, por pse po na e humb seancën, pse po e djeg mandatin e deputetëve”, tha Haradinaj.

