Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa çështje të rëndësishme që lidhen me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Është sqaruar se votimi duhet të jetë i hapur, se një kandidat nuk mund të kandidojë më shumë se tri herë nëse nuk merr votat, dhe po ashtu është përcaktuar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se AAK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por do të mbështeste një kandidat tjetër nga LVV-ja që, sipas tij, do të ishte më unifikues.
“Nëse sot do të ishte Glauk Konjufca, Saranda Bogujevci apo Shqipe Haxha Hetemi, do ta votonim,” tha ai.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet as brenda afatit prej 30 ditësh, Haradinaj u shpreh se kjo do të dëshmonte qëllimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Për fat të keq, unë besoj se qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, të vazhdojë ta mbajë Kosovën peng dhe ta udhëheqë në mënyrë jo të ligjshme”, u shpreh Haradinaj.