Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti i ka vënë vulë mashtrimit me vendimin që vlerën e koeficientit për paga ta caktojë 105 euro.
Haradinaj ka shkruar se ky koeficient është alarmues dhe mashtrues.
“Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, ka shkruar Haradinaj.
E gjithnjë sipas tij, kjo qasje kishte për qëllim t’i përplaste përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë.
“…Duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë”, ka deklaruar Haradinaj nga Washingtoni.
Haradinaj ka shkruar se qeveria e re në ditën e parë të punës duhet ta rrisë koeficientin e pagave.
“Qeveria e re, në ditën e parë të punës, në takimin e parë, vendimin e parë ta marrë për ta rritur koeficientin e pagave, që përjetë të respektohen zyrtarët në sektorin publik”, ka shkruar Haradinaj.