Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka reaguar pasi në media ka qarkulluar drafti i ligjit të pagave.
Sipas tij, rritja e koeficientit dhe zvogëlimi i vlerës monetare të tij është mashtrim ordiner.
Haradinaj tha se është e rëndësishme që ky ligj të rirregullohet dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos eksperimentojë me këtë Ligj.
Shkrimi i plotë:
Rritja e koeficientit dhe zvogëlimi i vlerës monetare të tij është mashtrim.
Rritja e koeficientit, e në anën tjetër zvogëlimi i vlerës monetare, është mashtrim ordiner.
Është tepër me rëndësi që të rirregullohet Ligji i Pagave, por ky ligj nuk duhet të bjerë. Po shoh komente dhe qëndrime të ndryshme të sindikatave të zyrtarëve institucionalë dhe të autoriteteve politike. Të gjithë në një ose në një mënyrë tjetër po i japin qëndrimet për organizatën buxhetore që përfaqësojnë.
Vlerësimet të cilat kanë qenë të evidentuara janë të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Ato duhet të rregullohen, ndërsa koeficienti dhe vlera e tij jo vetëm se nuk duhet të zvogëlohen, por ato duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të konsumit.
Në këtë vend gjithçka është rritur, përpos pagave që kanë mbetur në vendnumëro.
I bëj thirrje Qeverisë që të mos eksperimentojë me këtë ligj, sepse durimi ka kufi.
Pagat duhet të harmonizohen me shkallën e shtrenjtimit të jetesës e jo që punëtoria kosovare të shndërrohen në kategori sociale.