Për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanabisi është një nga problemet e Shqipërisë dhe zgjidhja sipas tij është legalizimi.
Ai në një intervistë për “ABC” i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të marrë guximin dhe të bëjë një ligj për ta legalizuar kanbaizin.
“Nuk kam për atë (Ramën) mesazh, por dëshira për Shqipërinë, kam qejf me e parë Shqipërinë më shumë shtet ligjor, ekonomi më të fortë, respektim të ndërsjellë të bindjeve, partive, jo me dominime. Kisha menduar që është tepër me rëndësi me legalizuar narkotikët në Shqipëri me ligj, sidomos ata që mbjellin. Kanabisin. Duhet ta marrë guximin. Ta legalizojë. Të bëjë ligj për kultivimin e tyre. E ka bërë Maqedonia. E kanë bërë popuj të tjerë. Ta heqim veten si shqiptarë nga harta e tyre që jemi vend narkotik. Ligj, transparencë, buxhet. Ndoshta do ta pastronim emrin tonë si shqiptarë. Rrezik ka si është sot, jo nëse legalizohet. Maqedonia e ka bërë. Edhe Shqipëria ta bëjë një ligj. Nuk po them, me e mbjellë si fasule (qesh). Por të paktën të kemi një mbulesë para të gjithë të tjerëve, se ka një sektor ekonomik të caktuar, në bazë të ligjit, në Maqedoni e kanë bërë, e përdorin për mjekësi, për të tjera. Duhet me i dhënë përgjigje, disa problemeve që ka Shqipëria, me një bazë të qëndrueshme ligjore. Mos me i lënë si çështje që të gjithë i dinë, flasin dhe keqpërdorin kundër nesh, Shqipërisë dhe Kosovës dhe ne bëjmë sikur nuk ekzistojnë, duhet me u dhënë përgjigje ligjore, vetëm me ligj dilet nga kjo gjendje”, ka thënë ai në ‘’ABC’’.