Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur edhe njëherë për takimin që ka pasur dje me dy këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel, me ç’rast ka pohuar se edhe delegacioni gjerman ka kërkuar heqjen e taksës, raporton zeri.info.
Në një konferencë të mbajtur për media, sot pas mbledhjes së qeverisë, shefi i ekzekutivit tha se qëndrimi për heqjen e taksës është i njëjtë për të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe.
“Takimi me Hecker dhe Luttenberg ka qenë një vazhdim. Ne kemi një komunikim intensiv me Berlinin. Janë marrëdhënie të qëndrushme të Gjermanisë me Kosovën. Në vazhdimësi presim vizita të gjermanëve në Kosovë. Pozicioni i Berlinit është i qartë, dialogu është i rëndëisshëm, duhet të vazhdojë, taksa është pengesë, hiqeni taksën. Ky është pozicioni i tyre. Me respekt i kam dëgjuar. Kështu është edhe pozicioni i Londrës, i të tjerëve. Ky është pozicioni i të gjithëve”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkohë, pos delegacionit gjerman, në fundjavën që lëmë pas në Kosovë kishte ardhur edhe një delegacion nga SHBA-ja për të kërkuar pikërisht pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake./Zeri