Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çështja e personave të pagjetur mbetet plaga më e madhe e shoqërisë kosovare, duke theksuar se zbardhja e fatit të të zhdukurve gjatë luftës së fundit është një detyrë kombëtare.
Haradinaj ka reaguar lidhur me raportimet për një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, për të cilën ka thënë se kërkon një hetim serioz, profesional dhe angazhim të vazhdueshëm për zbardhjen e së vërtetës.
Sipas tij, duhet të ketë presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur.
“Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave”, ka deklaruar Haradinaj.
Tutje, ai ka theksuar se pa zbardhjen e fatit të secilit person të zhdukur nuk mund të ketë paqe të plotë.
“Nuk mund të ketë paqe të plotë pa u zbardhur fati i secilit të zhdukur. Në çdo tryezë diskutimi kjo duhet të jetë tema kryesore për t’ia rikujtuar Serbisë krimet e saj, duke kërkuar me vendosmëri drejtësi për viktimat dhe përgjigje për familjet që presin prej vitesh”, është shprehur Haradinaj.

