Ramush Haradinaj, lider i AAK-së dhe kandidat për president të Kosovës, dje paralajmëroi referendum për bashkimin me Shqipërinë.
Ndaj kësaj deklarate, reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e cilësoi këtë deklaratë si të rrezikshme, jo vetëm për Serbinë, por për rajonin, Evropën dhe mbarë botën.
E Haradinaj reagoi ndaj kësaj deklarate të Vuçiqit, duke thënë se “për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandar Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë”, raporton Zeri.info.
Ai kërkoi nga Vuçiqi që të “mos ketë frikë”, të “mos bëhet nervoz”, sepse, sipas tij, “Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon”.
“Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, deklaroi Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Tutje, Haradinaj i tha Vuçiqit se Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB, ndërsa i tha se “me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejtën tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës”.
“Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi”, përfundoi Haradinaj.