Kryeministri Ramush Haradinaj rizgjedhet kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës edhe për një mandat.
Në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të AAK-së , Haradinaj u zgjodh i pari i kësaj partie pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryeministri Haradinaj ishte kandidati i vetëm për të qenë në krye të AAK-së, parti kjo që ai e drejton që nga themelimi i saj.
Fillimisht Haradinaj kërkoi që të votohet në mënyrë të fshehtë, por në fund u vendos që të votohet me aklamacion.
Kryetari rizgjedhur i AAK-së tha se kandidatura e tij është serioze duke qenë se janë duke qeverisur në nivel nacional dhe në disa komuna të Kosovës.
“Besoj që rritja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është rritje e Kosovës dhe e atdheut tonë. Ju siguroj që në këtë kërkim, të krejt mundësive dhe instrumenteve që ta rrisim AAK-në nuk do ndalem”, tha ai.
Ai u zotua që do jetë krijues e bashkëpunues me të gjithë sepse sipas tij vetëm si ekip mund ta rrisin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe vlerën e saj si parti.
“Ju siguroj që për të pasur sukses duhet të jemi më afër njëri tjetrit. Edhe Xhaka e Shaqiri për me dhanë gol dikush ua ka pasuar topin”, u shpreh Haradinaj.
Pas procesit të votimit ai u zotua se nuk do të ndalet dhe se do të punoj intensivisht për rritjen e këtij subjekti.