Brenda 10 muajve të këtij viti, në rajonin e Gjilanit, kanë ndodhur jo më pak se 13 aksidente trafiku me fatalitet, me ç’rast kanë humbur jetën 14 persona.
Kështu bëri me dije për “GJILANI.INFO”, togeri Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës nga ky rajon duke shtuar se për të njëjtën periudhë kohore të kenë ndodhur edhe 425 aksidente trafiku me lëndime dhe 217 aksidentet tjera që kishin për pasojë vetëm dëmet materiale.
Ndërkaq tha se po për të njëjtën periudhë kohore të jenë shqiptuar 24 mijë e 978 tiketa gjobitëse për shkelje të rregullave dhe dispozitave ligjore në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi realizon plane operative dhe vepruese me qëllim të preventivës për të patur sa më pak ose për të mos patur fare aksidente të trafik”, tha zëdhënësi Hashani.
Ai ka apeluar për të gjitha kategoritë e vozitësve që të jenë maksimalisht të përgatitur në aspektin teknik dhe që të i respektojnë rregullat dhe ligjet e trafikut rrugor, duke e pas parasysh faktin se jeta nuk është pjesë e veturës.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar për lëvizje të lirë dhe për të krijuar kushte që mos të ndodhin aksidente trafiku, gjë kjo e cila mundë të arrihet vetëm me përkushtimin e të gjithëve. Por mbi të gjitha duke respektuar normat dhe ligjet në fuqi”, ka thënë ndër tjerash zëdhënësi Hashani./GJILANI.INFO/