Disa nga aktivitetet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë shtyrë për ditën e diel më 18 shkurt.
Seanca solemne dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, (FSK) dhe Policisë së Kosovës, (PK), do të mbahen një ditë pas 17 shkurtit, pra të dielën më 18 shkurt.
Arsyeja e shtyrjes së këtyre aktiviteteve është bërë për shkak se disa nga miqtë ndërkombëtarë do të jenë pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë e cila do të mbahet në Munih.
Vetëm seanca solemne dhe parakalimi i FSK-se dhe Policisë së Kosovës është shtyrë për 18 shkurt. Ndryshimi është berë për shkak të pamundësisë që të jenë prezentë në seancën solemne disa nga miqtë tanë ndërkombëtare, sepse do të jenë pjesëmarrës edhe në Konferencën e Sigurisë që do të mbahet në Munih nga 16-18 shkurt. Do të kenë adresim edhe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj për Insajderin.
Mirëpo se cilët personalitete do të jenë prezentë në Kosovës, për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenca nuk i ka bërë të ditur.
Behramaj ka thënë për Insajderi se deri më tani rreth 70 delegacione e kanë konfirmuar ardhjen.
Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë, Qeveria ka ndarë një shumë prej 600 mijë euro. Ku ka themeluar edhe Këshillin organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së UÇK së. Për këtë Këshill ndahen mjete financiare në vlerë prej 100 mijë euro.
E mysafiri i parë që ka arritur në Kosovë është Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel. Ku për vizitën e tij kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare.
Po ashtu në Kosovë është duke qëndruar edhe Ansambli i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (ShBA), për Evropë, me ç’rast sot do të interpretojnë në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Ndërsa të dielën ata do të jenë prezent në sheshin “Shadërvani” në Prizren dhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, në Pejë.
E po ashtu edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora e ka konfirmuar se do të jetë prezentë në Kosovë për 10 vjetorin e Pavarësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Instagram”, Rita Ora ka konfirmuar se do të jetë prezentë në Kosovë në datën historike të Kosovës, me ç’rast do të mbaj një koncert në sheshin, “Zahir Pajaziti”.
Ora ardhjen e saj e konfirmuar një ditë pasi që Qeveria e Kosovës, ndau 600 mijë euro për ditëlindjen e Kosovës. /Insajderi.com