Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të padrejtë dhe të çuditshëm reagimin e Avokatit të Popullit për moscertifkimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Sipas saj, ky institucion është treguar selektiv dhe me standarde të dyfishta.
Ajo ka theksuar se vendimi i KQZ-së nuk është kundër subjekteve serbe pasi që ka certifikuar disa të tilla, dhe se arsyet e moscertifikimit të LS-së “janë të njohura dhe të justifikuara”.
Haxhiu ka pyetur pse Avokati i Popullit nuk ka reaguar edhe për çështjen e votimit në diasporë. Siç ka thënë ajo, “ky lloj selektiviteti” bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që institucioni i Avokatit të Popullit duhet t’i mbrojë.
“Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi? Edhe më e rëndë bëhet gjendja kur marrim parasysh se Avoakti i Populli nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Për moscertifikimin e Listës Serbe janë dhënë kritika edhe nga ndërkombëtarët. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës. Ambasadori i Britanisë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se “veprimet e tilla kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”. Ndërsa ambasadori gjerman, Rainer Rudolph, e ka quajtur sjellje penguese duke thënë se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike.









