Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për publikimin e audioincizimeve të bisedës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dhe nënkryetarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se audioincizimet janë të montuara dhe të paligjshme.
“Zonja Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaqur të deformuar një komunikim që ishte i prerë, i montuar dhe i redaktuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht jo në mënyrën më të keqe”, tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë tutje ka thënë se Lista Serbe në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, ajo po i bindet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe po merret me shantazhe e kërcënime.
Në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Lista Serbe e cila është formuar nga partitë opozitare me marrëveshjen e vitit 2013, i bindet Vuçiqit dhe merret me shantazhe e kërcënime. Ato që janë publikuar kanë një arsye – efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e as t’i bëjë presion Mimoza Kusari-Lilës sepse po të shkonin përpara kërkesat e tyre, ato s’do të publikoheshin”, ka deklaruar Haxhiu.