Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka reaguar deklaratës së ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, për arrestimin e tij pasi ka marrë pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, ish i burgosur i cili u vra nga institucionet serbe, pasi e vrau një polic të Serbisë.
Ai ka pohuar se nuk e befasojnë deklaratat e llojit të tillë, dhe se Daçiqi do të duhej të dilte para drejtësisë ndërkombëtare e të gjykohej për krimet që i ka bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ajo ka qenë dëshirë e kamotshme e Daçiqit, e Daçiqave, e Vuçiqave dhe e ‘viçave’ të tjerë, jo vetëm për arrestimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për asgjësimin e popullit shqiptar, kjo dëshmon se logjika e mendësia në Serbi nuk ka ndryshuar dhe se për të gjitha krimet që Daçiqi, Vuçiqi dhe Radoiçiqi i kanë kryer në Kosovë nuk janë penduar”.
” Për fat të keq nuk janë përgjigjur edhe përpara drejtësisë ndërkombëtare sepse nuk është ndonjë guxim i Daçiqit sepse ai sot e deklaron sepse më shumë është neglizhencë dhe mospunë e drejtësisë ndërkombëtare”.
“Sepse po të punonte drejtësia ndërkombëtare këta do të përgjigjeshin për krimet e kryera si pjesë e aparatit shtetëror gjenocidal të Serbisë dhe nuk do t’i vinte fare radha të deklarohej si ministër, nuk më befasojnë deklaratat e tilla”, ka thënë Haxhiu në Klan Kosova.