Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pika e parë në planin e Kurtit për shtensionimin e situatës ka të bëjë me sundimin e ligjit në katër komunat veriore, duke identifikuar e ndjekur penalisht të gjithë anëtarët e grupeve kriminale.
“Pika e parë në letrën e kryeministrit Kurti: Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo shtoi se duhet të identifikohen e gjykohen menjëherë këta kriminelë.
“Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel, të ndiqen dhe gjykohen për veprimet e tyre kriminale”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, pas angazhimit të madh nga ana e policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen apo neglizhohen aktet e kriminale të grupeve kriminale. Sulmet ndaj policisë, mediave apo anëtarëve të NATO-s dhe veprimet që cenojnë rendin kushtetues nuk duhet të normalizohen por të ndiqen e të dënohen”, ka shtuar ajo.