Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka nënshkruar sot Projekt Udhëzimin për Linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.
Ky projekt do të dërgohet për miratim në mbledhje të Qeverisë, i cili sipas Haxhiut mundëson krijimin e një linje telefonike emergjente të specializuar, që ka si qëllim ofrimin e mbështetjes së menjëhershme dhe ndihmës për viktimat e dhunës.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, kam nënshkruar Projekt Udhëzimin për Linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, për miratim në mbledhje të Qeverisë, i cili mundëson krijimin e një linje telefonike emergjente të specializuar, që ka si qëllim ofrimin e mbështetjes së menjëhershme dhe ndihmës për viktimat e dhunës”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu thekson se linja telefonike do të jetë një mjet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ndihmë ndaj viktimave të dhunës, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, duke siguruar mbështetje të shpejtë, konfidenciale dhe të sigurt.
“Nëpërmjet kësaj linje telefonike, angazhohemi për të krijuar një shoqëri më të sigurt dhe për të ofruar një mundësi konkrete për ndihmën e viktimave të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore”, ka shkruar Haxhiu në postimin e saj në rrjetin social Facebook./Gazeta10