Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu beson që dy premtimet kryesore që ka vendosur para vetës atë për procesin e vetingut dhe Byron për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohen në gjysmën e dytë të vitit 2023.
Haxhiu thotë se opinioni i dytë i Komisionit të Venecias sa i takon ligjit për Byron për Konfiskim dhe Verifikim të Pasurisë së Pajustifikueshme ka qenë pozitivë dhe në janar pritet që këto ndryshime të votohet në Komisionin Parlamentar për Legjislacion.
Ministrja Haxhiu thotë se po planifikojnë që procedurat tjera për përzgjedhjen e drejtorit dhe stafit të kësaj Byroje të ndodhin në pjesën e dytë të vitit që sapo kemi hyrë.
“Sipas planifikimeve tona në momentin kur Kuvendi i Kosovës e voton në lexim të dytë, e presim që kjo të ndodh në janar, pra në këtë muaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që pastaj të nis edhe shkrimi i akteve nënligjore pasi ligji parasheh që brenda 6 muajve të nis hartimi i akteve nënligjore, ne mendojmë se duhet të jetë një afat pak më i shkurtër sepse kemi nevojë jashtëzakonisht shumë për këtë ligj, jam e bindur se do të arrijmë t’i finalizojmë aktet nënligjore. Pastaj, në 6 mujorin e dytë të vitit 2023 nis edhe procedura për zgjedhjen e drejtorit dhe stafit tjetër mbështetës që do të punojnë në këtë institucion. Pra planifikimet janë që në 6 mujorin e dytë të nisen procedurat për zgjedhjen e këtij institucioni dhe më pastaj marrja e përgjegjësve nga i njëjti”, thekson ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se derisa dy vitet paraprake shërbyen për të punuar në koncept-dokumente e amendamente kushtetuese për vetingun por edhe për Projektligjin për Byron, gjysma e vitit 2023 duhet t’i gjejë duke jetësuar në praktikë të dyja këto procese.
“Nëse 2021 nga marsi e tutje dhe 2022 na kanë shërbyer për të punuar koncept-dokumente për të hartuar dokumente të projektligjit, amendamentet kushtetuese qoftë për vetingun, qoftë për Byron për Konfiskim të Pasurisë unë mendoj që pjesa e dytë e 2023 do të duhej të na gjente në jetësimin e këtyre reformave. Të gjithë do të duhej të ishim me këtë qëllim që nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2023 të nis zbatimi i punëve të cilat i kemi adresuar…Prandaj, nëse ka vullnet unë jam e bindur se do të përfundojë… në fundin e vitit 2023 nëse Kuvendi i Kosovës dhe nëse të gjitha partitë politike punojnë me vullnet dhe nuk tentojnë që të pengojnë procesin”, thotë Haxhiu.
Për procesin e vetingut nevojitet edhe mbështetja e opozitës, për çka e para e drejtësisë konsideron se nuk ka munguar.
“Deri tani konsideroj sa ka qenë konstruktiv rreth vetingut, uroj që ky konstruktivitet të vazhdoj”, ka thënë ajo.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur mospajtime të mëdha mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe atij Prokurorial që kryesisht kishin të bënin me kundërshtime për procesin e vetingut dhe vendimin e uljes së pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Haxhiu konsideron se këtyre insitucioneve po u pengojnë reformat në sistemit në drejtësisë, ndërsa bojkotin e këtyre institucioneve karshi qeverisë e konsideron veprim për keqardhje.
Sipas saj, institucionet e drejtësisë po e keqpërdorin pozicionin e tyre.
Projektligji për Kodin Civil i cili nuk mori mbështetje vitin e kaluar madje as nga disa deputetë të mazhorancës, ministrja e Drejtësisë po synon ta dërgojë përpara në muajt e parë të këtij viti.
Haxhiu thotë se neni i cili ngjalli debat dhe mos mbështetje nga të zgjedhurit e qytetarëve nuk do të ndryshohet.
“Ne nuk do ta ndryshojmë atë nen ajo çfarë ne kemi bërë është se ne kemi pas diskutimet me deputetët e grupit tonë parlamentar nga ana të cilët kanë abstenuar kemi marr qëndrim se do ta mbështesin si të tillë kanë pasur arsyet e veta dhe kanë qenë të ndikuar nga diskutimi e kështu me radhë. Është e vërtetë që deputetët nganjëherë mund të kenë edhe presione nga grupe të ndryshme nga individë të ndryshëm, por presioni nuk duhet të na udhëheqë neve dhe në këtë drejtim ne konsiderojmë është një dokument i rëndësishëm dhe një pjesë e tij është diskutuar madje veç një nen është diskutuar. Është një dokument që qytetarët kanë nevojë sepse lidhet me nevojat që kanë. Prandaj, besoj që në muajt e parë të vitit 2023 do të kaloj”, thekson Haxhiu.