Sot shënohen 33 vjet nga Referendumi i vitit 1992, kur qytetarët e Luginës së Preshevës shprehën vullnetin e tyre politik për bashkim me Republikën e Kosovës.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kujtuar këtë moment historik, duke theksuar se ky verdikt ende nuk është implementuar, pavarësisht luftës së UÇPMB-së, Marrëveshjes së Konçulit dhe proceseve tjera që kanë prekur shqiptarët e asaj zone.
Haziri ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2013 ka sponsorizuar Rezolutën për Luginën e Preshevës në Kuvendin e Kosovës, e cila është miratuar nga të gjitha partitë shqiptare.
Ai e ka cilësuar vullnetin e shprehur në referendum si një verdikt të patjetërsueshëm dhe të panegociueshëm.
Statusi i plotë:
Sot 33 vjet nga shprehja e vullnetit përmes Referendumit, ku qytetarët e Luginës së Preshevës, kanë votuar për të drejtën e bashkimit Republikës amë, Kosovës.
Ky vullnet politik ka mbetur i pa implementuar, përkundër luftës së UÇPMB-së, Marrëveshjes së Konçulit dhe proceseve tjera që kanë kaluar shqiptarët e lindjes së Kosovës.
Unë e mbështes këtë vullnet dhe në vitin 2013 e kam sponsorizuar Rezolutën për Luginën e Preshevës në Kuvendin e Republikës, e cila ka qenë gjithëpërfshirëse dhe është votuar nga të gjitha partitë politike shqiptare.
Vullneti i shprehur me referendum është verdikt sublim dhe nuk mund të zëvendësohet!