Kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për nepotizëm dhe favorizime familjare në institucionet publike.
Përmes një reagimi, Haziri ka theksuar se Komuna e Gjilanit është shndërruar në një “çiflig familjar”, ku punësimet nuk bëhen mbi bazën e meritave, por të lidhjeve farefisnore.
Ai e ka cilësuar punësimin e nipit të Hysenit si zjarrfikës si një dëshmi tjetër të mungesës së transparencës dhe qeverisjes së bazuar në parimet e drejtësisë dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
Statusi i plotë:
Hyseni i VV-së e shndërroi Komunën e Gjilanit në një çiflig kunatash, balldëskash, baxhanakësh, dajallarësh e nipash
Administratori i Komunës së Gjilanit z. Hyseni vazhdon të tregohet tërësisht i pandjeshëm ndaj transparencës dhe meritokracisë, duke bërë një tjetër lëvizje të papranueshme në emër të favorizimeve familjare.
Vendimi për të punësuar nipin e tij si zjarrfikës nuk është thjesht një akt i rëndomtë, por një provë e qartë se ai mbetet i ngujuar në sistemin e nepotizmit dhe i paaftë për të sjellë ndryshimin që qytetarët e meritojnë.
Ky veprim i administratës aktuale është një dëshmi tjetër që tregon se, pavarësisht premtimeve të shumta për zhvillim dhe ndryshime pozitive, ata vazhdojnë të rrisin dhe mbajnë struktura të bazuara në interesa personale dhe familjare, duke injoruar tërësisht meritat dhe nevojat reale të qytetarëve.
Qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për një administratë që vepron në përputhje me parimet e drejtësisë, transparencës dhe meritat, dhe jo për një administratë që e shfrytëzon pushtetin për të përfituar vetë dhe për të favorizuar të afërmit e tij.
Kjo është koha për t’i thënë mjaft nepotizmit dhe për të kërkuar një qeverisje që shërben me ndershmëri dhe përgjegjësi. Kjo mendësi e shndërrimit të Komunës në një çiflig kunatash, balldëskash, baxhanakësh, dajallarës e nipash, është e papraueshme dhe e pafalshme.