Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me kandidatët për Kuvend Komunal, Deniza Limani, Diana Toska, Gresa Avdiu e Valdrin Halimi, ka bashkëbiseduar me komunitetin artistik të Gjilanit, të cilët e kanë falënderuar për mbështetjen e madhe ndaj këtij sektori të madh, ku përfshihet edhe Teatri, Muzeu, Muzeu Etnologjik, Shkolla e Muzikës, Shkolla e Arteve Pamore, Galeria etj.
“Kënaqësi me bashkëbisedu me autoritetet kulturore të Gjilanit, në objektin e ri të Shkollës së Muzikës dhe Arteve, i cili pritet të inaugurohet shumë shpejt. Kemi bërë punë të mëdha për këtë sektor me mundësitë tona komunale. E kemi zgjidhur problemin e kodit buxhetor për ansamblin e Teatrit të Qytetit dhe ndihem shumë mirë për këtë. Po ashtu, e kemi bërë Bibliotekën më të mirë në rajon, Muzeun e Qytetit, Muzeun Etnologjik, derisa në prag të finalizimit është Shkolla e re e Muzikës dhe e Arteve e Galeria e Qytetit. Ne krenohemi me kalendarin kulturor të Gjilanit dhe do të vazhdojmë t’i përkrahim të gjitha aktivitetet kulturore për ta vazhduar epitetin e Kryeqytetit Kulturor të shqiptarëve në Ballkan”, ka thënë me këtë rast kryetari, Lutfi Haziri.