Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Sadiku, me rastin e ndarjes nga jeta të doajenit të gazetarisë kosovare, Bedri Sadiku. Në telegram, thuhet:
“E nderuara familje Sadiku,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të gazetarit kosovare, Bedri Sadiku.
Bedri Sadikun do ta kujtojmë përgjithmonë për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari për disa dekada, i cili raportoi me objektivitet e saktësi nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Ne veçanti, Bedriun do ta kujtojmë për guximin e tij për raportimet ndaj padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në një kohë të pakohë, në Kosovë e Maqedoni.
Familje Sadiku, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta. Ngushëllime edhe miqve e kolegëve të Bedriut.
Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegramin e Hazirit.